Secondary Adv

Platforma televizive Tring drejt blerjes nga një kompani kosovare

Vertex Holding, kompani e re nga Kosova, po përgatitet të blejë 100 për qind të aksioneve të Tring TV.

Autoriteti i Konkurrencës është njoftuar në tetor për transaksionin e propozuar që parashikon blerjen e 100% të aksioneve të Tring TV nga shoqëria Vertex Holding. Kjo kompani është regjistruar rishtas në Shqipëri në gusht të këtij viti, me qëllim kontrollin e aksioneve, dhe ka si ortak të vetëm shtetasin kosovar Valon Shala, drejtor i përgjithshëm dhe përfaqësues ligjor i Artmotion, operator i njohur i internetit dhe IPTV në Kosovë.

 

Tring është platforma e dytë më e madhe e shërbimeve audiovizive me pagesë në Shqipëri. Për vitin 2024, kompania raportoi xhiro prej 1.52 miliardë lekësh dhe fitim neto 13.1 milionë lekë. Aktualisht, ajo është në pronësi të Concord Investment, të zotëruar nga Artan, Adrian dhe Genci Dulaku. Edhe pse vlera e transaksionit nuk është bërë publike, në shtator aksionarët e Tring vendosën rritjen e kapitalit nga 304 milionë në 1.9 miliardë lekë, duke kapitalizuar huatë e dhëna për kompaninë.

 

Zgjerimi i bizneseve kosovare në Shqipëri

Kjo lëvizje përforcon prirjen e bizneseve nga Kosova për të zgjeruar praninë e tyre në tregun shqiptar. Në korrik, kompania Viva Fresh bleu zinxhirin Spar Albania për 36.4 milionë euro, ndërsa në shtator ALBI Holding bleu Fashion Group Albania nga grupi Balfin për 7.6 milionë euro.

 

Të dyja kompanitë zotërohen nga biznesmenë kosovarë me aktivitet të gjerë në sektorët e tregtisë dhe retail-it. Po ashtu, në tetor shoqëria KAN shpk njoftoi blerjen e Global Fast Food Albania, që zotëron markën KFC në Shqipëri, duke zgjeruar praninë e saj që tashmë përfshin Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. KAN është në pronësi të biznesmenit Fatmir Zymberi, i cili përmes Scandinavian Living menaxhon edhe markën Jysk në rajon.

 

Investimet kosovare në rritje të ndjeshme

Ndërkohë, një tjetër kompani kosovare, HIB Petrol, pritet të hyjë në tregun shqiptar përmes filialit të saj me fokus në tregtimin e karburanteve dhe nënprodukteve. HIB Petrol është pjesë e grupit HIB Holding, të zotëruar 100% nga sipërmarrësi Ibrahim Bucaliu.

 

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në mesin e vitit 2025 stoku i investimeve nga Kosova në Shqipëri arriti në 485 milionë euro, duke u rritur me afro 440% në pesë vitet e fundit. Në fund të vitit 2024, në Shqipëri vepronin 582 ndërmarrje me kapital nga Kosova, përfshirë ato me kapital të përbashkët, një rritje prej 12% krahasuar me një vit më parë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat